Reagon KMDLNJ: Të hetohet sulmi ndaj Nikolla Rashiq dhe djegia e veturës së Mefail Bajqinovcit

Njoftimi

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut ka reaguar përmes një komunikate për media për sulmin ndaj djalit të Nenad Rashiq dhe djegies së veturës së Mefail Bajqinovcit.

VIDEO:

Sipas KMDLNJ’së, a ishte koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm ndaj Nikolla Rashiqit, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq, duhet ta vërtetojë hetuesia.

Njoftimi i plotë:

Sipas informatave të KMDLNj –së, në fshatin Lapnasellë , më 22.02. 2021 afërsisht në mesditë , te shkolla ku vijon mësimet, nga një grup të rinjsh serbë është sulmuar me mjete të forta , Nikolla  Rashiq, 18 vjeçar, ndryshe, djali i ish ministrit të komunitetit serb në qeverinë e Kosovës , Nenad Rashiq. Nga grupi që e sulmuan Nikolla Rashiqin, janë identifikuar 8 persona të cilët, me urdhër të prokurorit të rastit janë dërguar në mbajtje apo ndalim 48 –orësh policor. Gjatë sulmit me mjete të forta i janë shkaktuar lëndime që janë cilësuar si të rënda por se jashtë rrezikut për jetë.

KMDLNj, edhe më parë ka reaguar ndaj shantazheve, kërcënimeve dhe dhunës fizike ndaj liderëve politikë serbë të Kosovës të cilët dolën në mbrojtje të interesave të bashkëkombësve të tyre e që nuk ishin me vijën zyrtare të Beogradit por se reagimi i institucioneve ka qenë në shpërputhje me rrezikun që iu janë nënshtruar politikanët serbë të Kosovës. Dhuna ka eskaluar kryesisht para zgjedhjeve, gjatë fushatave dhe ditën e zgjedhjeve për të frikësuar votuesit dhe, në këtë mënyrë janë eliminuar nga skena politike thuaja të gjithë liderët politikë serbë të Kosovës që kanë udhëhequr një politikë të arsyeshme, jokonfrontuese, integruese dhe bashkëpunuese. Pikërisht për këtë janë sulmuar, linçuar publikisht Nenad Rashiq, Sllobodan Petroviq, Rada Trajkoviq dhe të tjerë në mesin e të cilëve ka pasur të arrestuar nga BIA- a e Serbisë sikur ishte rasti i Sllobodan Petroviqit. A ishte koincidencë e rastit apo sulm i qëllimshëm ndaj Nikolla Rashiqit, për shkak të aktivitetit politik të babait të tij, Nenad Rashiq, duhet ta vërtetojë hetuesia dhe, fjalën e fundit për fajësinë apo pafajësinë, për motivin e mundshëm të sulmit dhe qëllimin e këtij sulmi, ka të drejtë ta thotë vetëm gjykata përkatëse, pas procedimit të provave. Ndonëse rrethanat në të cilat ka ndodhur sulmi ndaj Nikolla Rashiq  nxisin dyshime të bazuara për motivet e sulmit, KMDLNj  fton të gjitha palët të përmbahen nga deklaratat paragjykuese, deri në një vendim të gjykatës kompetente. KMDLNj e vlerëson si shumë pozitive angazhimin e shpejtë dhe efikas të Policisë së Kosovës dhe prokurorisë së shtetit në zbardhjen e rastit e që nënkupton se ky rast po trajtohet me seriozitet dhe profesionalizëm.

Po të njëjtën ditë , në lagjen “Arbëria“, në rrethana ende të paqarta e ka kapluar flaka veturën e deputetit të LV –së, Mefail Bajqinovci, duke e shkatërruar plotësisht ate .Për fat të mirë , përveç dëmeve të konsiderueshme materiale, deputeti Bajqinovci ka shpëtuar pa lëndime. Edhe për këtë rast KMDLNj kërkon hetime në mënyrë që të përcakthen shkaqet që kanë prurë deri te djegia e veturës të z. Bajqinovci. Në këtë mënyrë, me vërtetimin e shkaqeve do të eliminoheshin spekulimet e mundshme, ose, në të kundërtën, nëse sigurohen prova për zjarrvënie të qëllimshme, duhet të gjinden kryerësit e mundshëm dhe të sillën para organeve të drejtësisë e qç ia rrezikuan seriozisht jetën deputetit Bajqinovci.