Reçica: Nesër VV dhe Lista Serbe pritet t’i japin goditje demokracisë dhe agjencive të pavarura

Deputeti i PDK-së

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica ka reaguar sonte në cilësinë e anëtarit të Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, duke shprehur shqetësimin, siç thotë ai, në lidhje me goditjen që pritet t’i bëhet nesër parlamentarizmit, demokracisë e pavarësisë së agjencioneve të pavarura.

VIDEO:

“Nesër në Komisionin për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, pa legjitimitetin e opozitës, pa pjesëmarrjen aktive të Ambasadës Britanike, pa përfshirjen e plotë të organizatave të shoqërisë civile, në kundërshtim me ligjin e në harmoni me Listën Serbe, me qëllim të kapjes së një institucioni shumë të rëndësishëm e të pavarur, Lëvizja Vetëvendosje bashkë me Listën Serbe, pritet të rekomandojnë për votim në seancë Komisionerin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi!”, shkruan ai.

Sipas tij, një proces i tillë kundërligjor i përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, tashmë i komprometuar nga brenda dhe i sfiduar nga organizatat e shoqërisë civile, për Partinë Demokratike të Kosovës është i papranueshëm sepse është në kundërshtim me vlerat kushtetuese dhe dispozitat ligjore për objektivitetin dhe paanshmërinë e agjencioneve të pavarura.

“Sipas ligjit, Agjencia për Informim dhe Privatësi është institucion i pavarur. Përzgjedhja e Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, nga partia në pushtet, këtë agjencion e shndërron në institucion partiak duke qenë se partia në pushtet është duke e dërguar njeriun e saj në këtë pozicion”, thekson tutje ai.

Reçica shton se ky proces i kundërligjshëm e i komprometuar, duhet të dështoj sepse është në kundërshtim me vlerat kushtetuese të Republikës së Kosovës, respektivisht me vlerat si jeta private dhe familjare, pacenueshmëria e banesës dhe fshehtësia e korrespondencës, telefonisë dhe e komunikimeve të tjera.

“Të gjitha këto kanë të bëjnë me të dhënat personale të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilat do të bien në dorë të partisë në pushtet.  Përveç kësaj, një proces i tillë është në kundërshtim edhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet, sipas së cilës parashihet respektimi i jetës private dhe familjare. Ky proces gjithashtu është në kundërshtim flagrant me Ligjin Nr. 06/ L- 082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Ligjit Nr.06/L- 113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura dhe praktikën parlamentare shtetërore, por edhe praktikën shtetërore të shteteve të zhvilluara e demokratike, duke përfshirë këtu Kanadën dhe Slloveninë. Për fund, si anëtar i Komisionit për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, i bëjë thirrje pranisë ndërkombëtare në Kosovë që të adresoj këtë çështje me rëndësi për sigurinë juridike dhe për aspektet e informacionit dhe privatësisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ne do t’i përdorim të gjitha mjetet ligjore dhe demokratike për ta sfiduar, kundërshtuar dhe rrëzuar një proces të tillë të kundërligjshëm, të komprometuar dhe përjashtues”, shkruan ai në fund. /Ballkani.info/