Rezoluta për ndalimin e referendumit serb, Kurti: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet të trajtohet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka falënderuar deputetët për miratimin e rezolutës së përbashkët kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Kurti ka thënë se qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë, transmeton Telegrafi.

“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për miratimin e rezolutës së përbashkët. Me 76 vota PËR dhe një abstenim, u përmbyll seanca e jashtëzakonshme të cilën e kërkova lidhur me synimin për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës. Qëndrimi i institucioneve të Republikës së Kosovës është qëndrim parimor, në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Ne nuk do t’i shkelim parimet tona. Praktikat e dëmshme ndryshohen, e ligji do të respektohet. Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet edhe të trajtohet”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore vlejnë për të gjithë qytetarët e Republikës, duke shtuar se vlejnë njësoj edhe kur vjen fjala për të drejtën e votës.

VIDEO:

Osmani mirëpret miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë Osmani mirëpret miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë

“Me këtë logjikë, votimi për referendumin që do të mbahet nga Serbia, i garanton komunitetit jo shumicë serb në bazë të Kushtetutës dhe ligjit në fuqi në Republikën e Kosovës. Por, ushtrimi i kësaj të drejte duhet të bëhet nën ombrellën e këtyre normave juridike tona. Duke respektuar në mënyrë analogjike rregullat për votim jashtë vendit që vlejnë për qytetarët e Republikës së Kosovës, e të parapara me Ligjin për Zgjedhjet dhe Rregullën Zgjedhore”, ka deklaruar sot kryeministri në Kuvend.

Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka përshëndetur miratimin e rezolutës kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.

Osmani ka thënë se, institucionet e Republikës së Kosovës njëzëri refuzojnë mbajtjen e referendumit të Serbisë në kundërshtim me normat kushtetuese dhe praktikën ndërkombëtare

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, ka miratuar një rezolutë që shpreh kundërshtimin e mbajtjes së votimeve në Kosovë për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

77 deputetë ishin të pranishëm në sallë gjatë votimit të kësaj rezolute në një seancë të jashtëzakonshme, të thirrur me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti. /Telegrafi/

The post Rezoluta për ndalimin e referendumit serb, Kurti: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, ashtu duhet të trajtohet appeared first on Telegrafi.