Rifillon ekzekutimi i pagesave për përfituesit e subvencioneve në bujqësi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka bërë të ditur se ka rifilluar ekzekutimin e pagesës së dytë për të gjithë përfituesit e subvencioneve në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2020, përcjell Insajderi.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ministri i MBPZhR-së, Faton Peci ka kërkuar që të intensifikohet procedimi i të gjitha pagesave direkte për përfituesit e programeve nga viti i kaluar.

VIDEO:

“Ministri Peci, ka theksuar se një ndër prioritetet në politikat e tij do të jetë dhënia e përkrahjes ndaj fermerëve përfitues në kohën e duhur. Po ashtu, ministri ka premtuar se do të angazhohet që me shumë përkushtim të jetë afër fermerëve, me qëllim që veprimtaritë e tyre bujqësore të fuqizohen dhe zhvillohen përmes edhe mbështetjes së ministrisë”, thuhet në njoftimin për medie të ministrisë.

Krahas kësaj, Peci ka premtuar se efikasiteti në punë dhe transparenca do të jenë ndër objektivat kryesore./Insajderi.com