Rinis vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë, të moshuarit nuk vaksinohen

Vaksinimi

Pas arritjes së 4 mijë e 680 dozave të vaksinës Pfizer/Biontech kundër COVID-19, në qendrën e vaksinimit në sallën “1 Tetor”, ka vazhduar vaksinimi profesionistëve shëndetësorë nga e tërë Kosova.

Para sallës “1 Tetor” janë parë një numër i madh i mjekëve dhe infermierëve që prisnin në radhë për t’u vaksinuar me vaksinën e llojit Pfizer.

VIDEO:

Kirurgu i fëmijëve, Sejdi Statovci i cili po priste për t’u vaksinuar thotë se vaksinën e llojit AstraZeneca nuk e mori pasi sapo e kishte kaluar COVID-19.

Sipas tij, vaksinimi është mënyra më e mirë për të tejkaluar rrezikun e infektimit.

“Nuk e kam marr (AstraZenecën) sepse ashtu më kanë rekomanduar e kam kaluar COVID-in në kohën e fundit dhe më është thënë që duhet të kalojnë disa muaj. Ose duhet të kalohet nëpër COVID që është rrezik për jetën, ose të merret vaksina”, tha ai.

Krahas mjekëve kishte edhe qytetarë të tjerë si dhe pensionistë që kishin ardhur për t’u vaksinuar por që iu desh të kthehen pasi në këtë fazë përparësi për vaksinimi kanë punëtorët shëndetësorë.

Daut Beqiri, 72-vjeçar, erdhi në sallën “1 Tetori”, për t’u vaksinuar por ai vaksinën nuk e mori.

“Kam marrë informacion se sot fillon procesi me personel mjekësor, dëgjova që nuk po paraqitet personeli mjekësor erdha unë në radhë të vaksinohem unë. Nuk jam i sigurt që do arrij me marr, por do provoj”, u shpreh ky pensionist.

Kosova të martën pasdite pranoi kontingjentin e parë të dozave të vaksinave nga gjithsej 95 mijë të tilla të cilat Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në vaksinimin kundër COVID-19.

Me rekomandim të Komitetit për vaksinim kundër COVID-19, me këto doza të vaksinës Pfizer do të imunizohen punëtorët shëndetësorë, të cilët nuk janë vaksinuar në fazën e parë të vaksinimit me vaksinën AstraZeneca.

Kosova dozat e para të vaksinimit anit-COVID i kishte pranuar më 28 mars. Për vaksinimin me 24 mijë vaksinat AstraZeneca që arritën atëherë përparësi për imunizim patën punëtorët shëndetësorë dhe të moshuarit, por, një pjesë e stafit shëndetësor kanë refuzuar ta marrin këtë vaksinë.