Ronaldos nuk i pëlqeu aspak zëvendësimi, Solskjaer u desh t’ia shpjegonte – tifozët shpërthyen në rrjetet sociale kundër këtij vendimi

Cristiano Ronaldo vazhdon të jetë ndër emrat kryesore në Ligën e Kampionëve dhe në përgjithësi në futboll.

Ai i befasoi të gjithë me rikthimin te Manchester Unitedi këtë verë, ndërsa në dy ndeshje të zhvilluara i ka shënuar tre gola (dy ndaj Newcastle United dhe një kundër Young Boys.

Superyllit portugez i mjaftuan vetëm 13 minuta që të regjistrohej në listën e golashënuesve në sfidën ndaj ekipit zviceran pas një asistimi nga Bruno Fernandes.

VIDEO:

(Foto: Screenshot/Twitter/Red Devil Armada)

Mirëpo, në minutën e 35-të, Djajtë e Kuq mbetën me një futbollist më pak në fushë pas përjashtimit të Aaron Wan-Bissaka me karton të kuq.

Vendasit arritën ta barazojnë rezultatin në pjesën e dytë me golin e Nicolas Ngamaleu (66’), ndërsa në minutën e 72-të, trajneri Ole Gunnar Solskjaer vendosi ta largonte nga fusha Ronaldon dhe e inkuadroi Jesse Lingard.

Ishte pikërisht mesfushori anglez njeriu tragjik i mbrëmjes, pasi bëri gabimin që shërbeu si asistim për ekipin kundërshtar dhe Theoson Jordan Siebatcheu e shënoi golin e fitores në minutat shtesë (90’+5).

(Foto: Screenshot/Twitter/DAZN)

Tashmë dihet se 36-vjeçarit nuk i pëlqen ta zëvendësojnë kurrë, ashtu që trajneri i Unitedit u desh t’ia shpjegonte në momentin e daljes se nuk kishte zgjidhje tjetër për shkak të inferioritetit numerik në fushë.

Porse edhe tifozët e Unitedit kanë reaguar në rrjetet sociale duke e quajtur të turpshëm dhe qesharak vendimin e Solskjaer për ta zëvendësuar CR7. /Telegrafi/

The post Ronaldos nuk i pëlqeu aspak zëvendësimi, Solskjaer u desh t’ia shpjegonte – tifozët shpërthyen në rrjetet sociale kundër këtij vendimi appeared first on Telegrafi.