Rrëfimi i 87-vjeçarit nga Peja që iu vranë katër djemë në luftë: Prej 22 vitesh askush nuk ma hapi derën

<!–

–>

Katër djemtë ia vranë në luftë, rrëfimi i 87-vjeçarit nga Peja: Prej 22 vitesh askush nuk ma hapi derën.

Hajrulla Hysenit nga Zahaqi i Pejës, serbët ia vranë katër djemtë e tij dhe dy të vëllait në luftën e vitit 1999.

VIDEO:

87-vjeçari që asnjëherë më parë nuk është shprehur para mediave thotë se nuk ka marrë asnjë mbështetje shteti për të rritur 15 nipërit e mbesat e tij.

Hyseni i cili para disa viteve ka humbur edhe bashkëshorten, në një rrëfim për RTV Dukagjinin thotë se askush nuk po i hapë derën.

“Prej 22 vitesh askush nuk ma ka hapur këtë derë për të më pyetur se çfarë halli ke. Kam mbetur me 15 fëmijë të vegjël e nuse të reja, e vet i plakur. Kemi jetuar si kemi mundur e askush nuk na ka ofruar ndonjë vend pune”.

Ai rrëfen histerinë tragjike të familjes që i ndodhi me 15 maj të vitit 1999.

“Na kanë ndalur të fundit derisa po shkonim në Drenicë. Na zbritën djemtë nga kamioni dhe i mbështetën për muri. Erdhi dikush me maska dhe i mori djemtë”.

Hajrullahun nuk e lejuan të shkojë në Shqipëri dhe bashkë me gruan për shtatë javë ishte fshehur nga ushtria serbe maleve e fushave.

Ai nuk gjente qetësi derisa të mësonte për fatin e djemve të tij.

Por në fund e kuptoi se ata kishin përfunduar në një kanal.

Prej gjashtëmbëdhjetë meshkujve që i kishin marrë serbët vetëm njëri kishte arritur të mbijetojë.

Por i moshuari thotë se as nga ai nuk e kuptoi kurrë të vërtetën e asaj ngjarje makabre.

“Djemtë i kishin futur në kanal të servisit të autobusëve. Kur ne jemi futur në atë servis, kemi dëgjuar të shtënat dhe jemi larguar fushave. Më pas atij servisi i është vënë zjarri dhe nuk dimë asgjë për djemtë se ku i kanë dërgua”.

“Nga 16 sa i kanë marrë serbët, njëri kishte shpëtuar pasi kishte ikur nga dritarja e banjës, por kurrë nuk ka treguar ku i kanë dërguar të tjerët. Sot ai më duket jeton në Suedi. Disa thonë që atij i ka rënë të fikët kur kanë filluar të shtënat dhe më pas të vdekurit e kanë zënë poshtë dhe ka shpëtuar”.

Përjetimet pas luftës ishin mjaft të mëdha, por ai si kryefamiljar ka përballuar jetën.

“Kam qenë i fortë si guri. Lot askush nuk më ka parë por zemra ime e di sa kam vuajtur. Vetëm ai moment kur i kam parë të vrarë në kanal, vetëm shpirti im ma di. Çfarë djem i kam pasur. Të gjithë të punësuar”, tregon më tej historinë trishtuese të familjes 87-vjeçari nga Peja.