Rritet numri i rasteve aktive me COVID 19, IKSHPK del me apel

Numri i rasteve aktive me Coronavirus po vazhdon të jetë i lart në vend, njofton Insajderi.

Me 398 rastet e raportuara gjatë ditës së djeshme, shifra e rasteve aktive ka shkuar në gjashtë mijë e 639.

VIDEO:

Numri total i rasteve pozitive në vend është 66.380 raste nga 285.900 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.

Si pasojë e sëmundjes COVID-19, deri më tani në vend kanë vdekur një mijë e 572 persona.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 228 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 58.169 raste.

IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Masat parandaluese janë të njëjta me aksent të veçantë se personat pozitiv duhet të qëndrojnë në shtëpi për të parandaluar përhapjen në familje dhe në komunitet. Me zvogëlimin e kontakteve, do ta bëjmë të mundur ndërprerjen e përhapjes së infeksionit.

“Rekomandojmë edhe një herë: Të qëndrohet në shtëpi, dhe dalja të jetë vetëm për nevoja të domosdoshme; Ndalimi rigoroz i takimeve me njerëz me të cilët nuk jetoni në bashkësi, pos për qëllime specifike; Ndalimi rigoroz i tubimeve; Respektimi rigoroz i masave kufizuese në aktivitetet publike; Kufizimi i punës për veprimtaritë jo-esenciale dhe vend-ngjarjet duke reduktuar edhe kohën e punës gjatë ditës”, thuhet në apelin e IKSHPK-së. /Insajderi.com