Rritet numri i shitësve ambulantë në sheshet e Prishtinës, ekipe të veçanta të inspektorëve i mbikëqyrin

Një ekip i veçantë është angazhuar për mbikëqyrjen e shesheve të Prishtinës, pasi numri i shitësve ambulantë është rritur me ngitjen e temperaturave, transmeton Insajderi.

Kështu thotë shefi i sektorit të rendit komunal në komunën e Prishtinës, Alban Ymeri, i cili tha se inspektorët së bashku me policinë qëndrojnë në këtë zonë nga ora 08:00 në mëngjes deri në orën 16:00 të pasdites.

VIDEO:

“Po ne si Inspektorat i rendit komunal edhe përkundër angazhimeve që i kemi në terren, jemi vazhdimisht prezentë në shesh, mirëpo tani jemi duke caktuar ekipe të veçanta të cilët kanë për të mbikëqyrë vetëm sheshin, ashtu që të garantohet rend dhe rregull në sheshet kryesore të sheshit dhe të qytetit. Gjithë atyre të funksionojnë ilegalisht, inspektorët do t’u shqiptojnë gjoba dhe do t’i konfiskojnë ato mallra të cilat i prezantojnë përpara në shesh. Dje dhe sot kemi pasë aksion me policinë, dhe bashkë me kompaninë tonë kemi dal në mënyrë që të gjithë ata që s’largohen t’u konfiskohet edhe malli, përveç procedurave ligjore që merren ndaj tyre”, ka thënë Ymeri, raporton EO.

“Ne do me thënë kemi ekipe të shumta në terren ku një ekip është duke u marrë veçanërisht vetëm me shesh”, tha ai.

Ymeri ka thënë se inspektorët komunalë konfiskojmë mallra në atë pjesë thuajse çdo ditë.

“Në periudhën verore kemi mjaftë shitës ambulantë të cilët e frekuentojnë sheshin, disa automjete të vogla të cilët po i shfrytëzojnë disa përdorues aty, të njëjtit janë konfiskua shumë herë, janë gjobit shumë herë, mirëpo ne do të vazhdojmë punën tonë dhe do të marrim masa ligjore ndaj tyre”.

Në fund, ai tha se vetëm disa kioske në sheshe kanë leje, ndërsa disa pritet që komuna t’ua vazhdojë lejen.

“Disa kioske janë me leje dhe pritet komuna t’iu vazhdojë lejet, ndërsa ata që janë pa leje ne do t’i largojmë”. /Insajderi.com