SBASHK-u thotë se nuk do të lejojë testimin e mësimdhënësve

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nuk do ta lejojnë asnjëherë të bëhettestimi i mësimdhënësve me shkrim, përcjell Insajderi.

Ai ka propozuar që të shtohet numri i inspektoreve të arsimit në mënyrë që të bëhet vlerësimi i vazhdueshëm i performancës së mësimdhënësve.

VIDEO:

“Atë që e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë, sepse ka aty këtu informata, thashetheme për ndonjë ide eventuale që të bëhet testi me shkrim për punëtorët e arsimit. Ne ketë gjë e kemi kritikuar edhe në kohën e ministrave të tjerë dhe po e them edhe një herë, SBASHK-u nuk do të lejojë asnjëherë që të bëhet testimi i mësimdhënësve. Ne kërkojmë që të shkojnë inspektorët në orë të shohin si po punojnë ata”, ka thënë Jashari për KP.

Testimin e mësimdhënësve e ka kundërshtuar edhe Drejtori i Institutit Ed Guard, Rinor Qehaja, i cili deklarojë se duhet të këtë vlerësim të vazhdueshëm të performancës së mësimdhënësve, si dhe të përditësohet legjislacioni aktual për të rritur më shumë llogaridhënien brenda komunitetit të mësimdhënësve.

Edhe njohësi i çështjeve të arsimit, Argjend Osmani, është kundër testimit të mësimdhënësve, ku sipas tij ata janë licencuar si mësimdhënës në institucione legjitime të Kosovës.

“Personalisht jam kundër një testimi të tillë, për shkak se konsideroj që këta mësimdhënës kanë marrë diploma universitare nga institucione legjitime të Republikës së Kosovës apo edhe të vendeve të tjera, pastaj janë licencuar si mësimdhënës po nga këto institucione legjitime të Republikës së Kosovës dhe tash ku është kuptimi që ne t’i fusim ata në testim përderisa kemi një menaxhim të cilësisë duke filluar nga drejtori i shkollës, pastaj inspektorët përkatës, por edhe koordinatorët e cilësisë brenda shkollave”, tha Osmani.

Sipas tij, një gjë e tillë do të kishte vetëm efekte negative.

“Personalisht mendoj se kjo nuk do të ndikojë pozitivisht në motivimin e mësimdhënësve, por më tepër do të krijojë një lloj stresi ta quajmë tek ta, një lloj mospërfillje dhe në përgjithësi i shoh pasojat negative nga ky lloj testimi”, ka deklaruar Osmani. /Insajderi.com