Së shpejti një veturë e re me energji diellore

Kompania gjermane Sono Motors prezantoi veturën e saj të parë me “energji diellore” – modelin Sion, që do të dalë në shitje në vitin 2023.

Kompania ka punuar në prototipin për plot nëntë vjet, dhe rezultati është një automjet i pajisur me 248 qeliza diellore që mund të plotësojnë automjetin për 245 km shtesë në baza javore, shkruan energetskiportal.

Kjo do të thotë se karikimi diellor do të jetë i mjaftueshëm për vozitje në qytet ose distanca të shkurtra, ndërsa për një distancë më të madhe bateria mund të karikohet në karikues standardë ose priza shtëpiake.

VIDEO:

Me një bateri të plotë, Sion mund të përshkojë 305 km, dhe karikimi me një karikues të shpejtë deri në 80 për qind zgjat 35 minuta.

Përveç qelizave diellore, një tjetër risi e bën këtë model unik. Përkatësisht, automjeti është i pajisur me teknologjinë V2X, e cila i mundëson Sion-it të shërbejë si pajisje për ruajtje të energjisë.

Ata që duan të përdorin energjinë diellore në shtëpitë e tyre mund të porosisin një karikues muri me dy drejtime Sono përmes të cilit mund të fuqizojnë automjetin ose të përdorin energjinë elektrike nga bateria e veturës për nevojat shtëpiake për pesë ditë të plota.

Kompania ka zhvilluar gjithashtu aplikacionin Sono, i cili do t’u mundësojë përdoruesve të përcaktojnë sasinë e energjisë elektrike që do të japë automjeti.

Porositë për Sionin tashmë janë hapur dhe kompania njoftoi se deri tani kanë mbërritur 16,000 rezervime. Çmimi i këtij modeli është 28500 euro. /Telegrafi/

The post Së shpejti një veturë e re me energji diellore appeared first on Telegrafi.