Seanca për dialogun, momentet më interesante: “Mos më rrëzoni edhe njëherë, se mandej…”, “Nuk është tu t’rrëzu askush, mos bëj dramë”!

“Të nderuar kabinet qeveritar, që pritet të vini në Kuvend në çdo moment”, kështu e nisi seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, drejtuesi i këtij institucioni, Glauk Konjufca, i cili pothuajse në të gjitha seancat i ka disa momente që ngjallin reagime e shumë të qeshura në sallë.

Megjithëse seanca e sotme ku duhej të debatohej për ecurinë e deritashme të dialogut me Serbinë, filloi me humor të mirë nga kryeparlamentari, vazhdimi i saj ishte plotë me polemika, akuza e kundërakuza, si nga ana e opozitës, edhe nga ana e pozitës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë fjalës së tij, ka kritikuar procesin e deritanishëm të dialogut me Serbinë, duke thënë se qasja ka qenë e gabuar, transmeton Telegrafi.

Kurti ka pohuar se “Mungesa e afateve kohore e ka dëmtuar procesin e dialogut”.

“Ne jemi vend i pavarur, koha që kalon duhet ta ndryshojë realitetin në Serbi e ta pranojnë krimet që kanë bërë në Kosovë. Pse të ngutemi, kur e kemi shpallur pavarësinë, askush nuk e ka menduar njohjen nga Serbia”, tha ai.

Gjithashtu, kryeministri i vendit ka kritikuar Bashkimin Evropian, duke thënë se presioni duhet të jetë mbi Serbinë, e jo mbi Kosovën.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Po ashtu, ai tha se palët në dialog duhet të jenë të barabarta dhe se duhet unitet i brendshëm.

“Unë kam ftuar krerët e opozitës për të diskutuar për dialogun, qasjen tonë e dini, unë po flas se cilat duhet të jenë  parimet,  Serbia duhet t’i pranojë krimet e bëra në Kosovë, duhet ta pranojë pavarësinë, barazia e përfaqësuesve, dhe qytetari si fitues në fund”, deklaroi Kurti.

Tutje ai shtoi “le të sillemi ashtu siç jem, nuk i kemi borxh askujt por na kanë borxh shumë çka”.

Kurti i replikon Hoxhajt: Nuk kam ardhur të realizoj pritjet tuaja për dialogun, por të qytetarëve të Kosovës Kurti i replikon Hoxhajt: Nuk kam ardhur të realizoj pritjet tuaja për dialogun, por të qytetarëve të Kosovës

VIDEO:

Kritika erdhën nga krerët e partive opozitare, Enver Hoxhaj, Lumir Abdixhiku e Ramush Haradinaj.

Të tre ata kritikuan Kurtin për ndryshim të qëndrimeve, se po shkon në dialog i papërgatitur dhe se po ik nga kauza që e ka ndërtuar me vite.

Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), gjatë fjalës së tij ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi tha se pritën një fjalim serioz nga kryeministri Albin Kurti për dialogun e jo fjalim sharlatan me fraza hipokrite.

Hoxhaj madje iu drejtua Kurtit, duke i thënë se nuk ka pritur që të jetë i papërgatitur për dialogun.

Kësaj fjalie, kryeministri iu përgjigj duke i thënë se është duke e lavdëruar, e duke e kritikuar.

Kurti u shpreh se nuk është në pozitën e kryeministrit për të plotësuar pritshmëritë e Hoxhajt, por ato të qytetarëve të vendit.

“Kemi një problem themelor, se disa që i dëgjova kanë fol për një seancë tjetër e jo për këtë seancë, se kjo seancë nuk është për dialogun pasi pika e rendit të ditës thotë ‘diskutim për ecurinë e deritanishme për procesin e dialogut me Serbinë. Nuk është në rend dite takimi i së martës”, tha ai.

Ai po ashtu iu drejtua Hoxhajt duke i thënë: “Veç më lavdëron kur thua se nuk i kam realizuar pritjet tua”.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

I pari i Qeverisë, tha se nëse nuk do ta trajtojnë dialogun e kaluar, rrezikojnë që të gabojnë sërish.

Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti se po niset për dialog pa kushte.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Sipas Abdixhikut, Kurti tashmë ka ndryshuar qëndrim për dialogun, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Ramush Haradinaj gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi tha se kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur rrugën e fshehjes dhe të ikjes.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Ai e quajti momentin e raportimit të kryeministrit si shumë të rëndësishëm për Kosovën, ndërsa e pyeti pse i ikë e fshehët Amerikës.

Kurti u përgjigj duke thënë se nuk është duke i ikur parimeve të dialogut Kosovë-Serbi dhe asnjë sfide tjetër.

“Hiqni dorë nga parullat për anti-amerikanizmin tim, me qato parulla më keni rrëxu. Prandaj e kam veç një lutje në fund, mos më rrëzoni edhe njëherë, se mandej…ju faleminderit”, përfundoi Kurti fjalinë duke nxitur tutje reagime të deputetëve.

Vazhduan kritikat nga opozita teksa, Hoxhaj tha se opozita janë të gatshëm të përgatisin një platformë për dialogun, ndërkaq Abdixhiku iu drejtua Kurtit duke i thënë: “Askush nuk po të rrëzon, edhe nëse ndodh do ta rrëzosh veten”.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Pas disa diskutimesh tjera, për shëndetësi e arsim, dhe pas pyetjeve që u parashtruan në Kuvend, në ndërkohë që kryeministri Kurti kishte dalur nga seanca, opozita vendosi po ashtu të largohej.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se debati mund të vazhdojë kurdo që kryeministri të jetë në sallë.

“Meqë ky debat është ftuar nga kryeministri dhe ai nuk pati mundësi të qëndrojë më shumë se gjysmë ore. Mendoj se mund të vazhdojmë kur të jetë ai i gatshëm që të jetë prezentë. Nuk është mirë që na të flasim vet me veti”, tha Tahiri.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Ndërkaq, Arben Gashi nga LDK-ja po ashtu u shpreh se konsiderojnë të parsyeshme qëndrimin në sallë, duke qenë se Kurti i cili thirri këtë seancë nuk ishte prezent.

“Kryeministri prej se ka filluar debati ka qëndruar vetëm rreth 1 orë, dhe po e konsiderojmë të paarsyeshme të qëndrojmë sepse këtu u bënë 100 pyetje. E konsiderojmë të paarsyeshme qëndrimin këtu derisa kryeministri nuk është”, u shpreh Gashi.

Për shkak të mos-prezencës së kryeministrit, opozita lëshon seancën e Kuvendit Për shkak të mos-prezencës së kryeministrit, opozita lëshon seancën e Kuvendit

Pak kohë pasi opozita lëshoi seancën, përfunduan edhe diskutimet në lidhje me ecurinë e deritanishme të dialogut mes Kosovës e Serbisë.

Pikat e tjera të seancës së sotme, do të vazhdojë të hënën nga ora 10:00.

Kështu bëri të ditur i pari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Me këtë rast përfundojnë të gjitha diskutimet për këtë pikë. Meqë pikat tjera e kërkojnë edhe një kuorum të deputetëve, nga pika e pestë deri te pika e tetë propozoj që të vazhdojmë të hënën  nga ora 10:00”, tha Konjufca.

Seanca plenare për dialogun Kosovë-Serbi / Foto: Ridvan Slivova

Pikat e rendit të ditës të cilat pritet të diskutohen të hënën janë:

Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020,

Debat parlamentar në lidhje situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19 (të hënën më 14.06.2021). /Telegrafi/

The post Seanca për dialogun, momentet më interesante: “Mos më rrëzoni edhe njëherë, se mandej…”, “Nuk është tu t’rrëzu askush, mos bëj dramë”! appeared first on Telegrafi.