Sekretari gjerman për dialogun Kosovë-Serbi: Në fund nevojiten kompromise

“Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”.

Kështu ka thënë për dialogun Kosovë-Serbi, sekretari i shtetit gjerman, Miguel Berger, gjatë një interviste për Deutche Welle, transmeton Shqip.com.

Ai theksoi se Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë mbështetjen e Unionit Evropian.

Sipas tij, dyshja Borrell-Lajçak, po bëjnë gjënë e duhur, pasi kanë arritur t’i ulin një tavolinë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë, saktësisht – Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiqin.

VIDEO:

Gjatë dy takimeve që kishin kryeministri kosovar dhe presidenti serb në tryezën e Brukselit, Albin Kurti ka përmendur tre “gjenocidet” që sipas tij, Serbia ka kryer mbi shqiptarët që nga viti 1878.

Referuar kësaj, Barger, tha se parakusht i dialogut është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet.

“Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballje me të kaluarën”, deklaroi ndër tjerash ai.

Berger ka folur edhe për tregun rajonal dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Qeveria Federale e sheh të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Zgjidhjet e përkohshme që po propozohen nuk janë alternativa të vërteta dhe nuk kërkohen as nga qeveritë dhe as nga qytetarët e rajonit”.

“Në të njëjtën kohë, ne shohim potencial të madh për rajonin, me anë të zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal. Përparimi në këtë fushë, siç është sidomos zhvillimi i Tregut të Përbashkët Rajonal deri në vitin 2024, e mbështet rrugën e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së”.

Tregoi edhe se çfarë pret për samitin e 6 tetorit që do të mbahet në Slloveni ndërmjet BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Ne duam një sinjal të qartë se rruga evropiane e rajonit do të vazhdojë. Prandaj ne shpresojmë shumë që do të arrijmë t’i shmangim pengesat aktuale në mënyrë që të fillojmë përfundimisht negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, deklaroi ai.

Bashkimi Evropian brenda gjirit të saj ka 27 shtete, pesë prej të cilave ende s’e kanë njohur Kosovën.

Ndërsa, pos Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë më të avancuara në procesin integrues.

Për sa i përket lëvizjes së lirë, vetëm Kosova është e privuar nga qarkullimi pa viza në zonën schengen. /Insajderi.com