Serbët do të paguajnë rrymë, Mihajloviq: “Vendim brutal” e “presion”

Ministrja e Minierave dhe Energjisë në Serbi, Zorana Mihajloviq, e ka cilësuar “vendim brutal” e “presion ndaj serbëve”, vendimin e  Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë që serbet e veriut të paguajnë rrymë; pra njëjtë si gjithë qytetarët e tjerë që jetojnë në Kosovë.

Por, e dyta e qeverisë serbe ka thënë se “këto janë gënjeshtra’”, madje mohon që serbët e katër komunave veriore i kanë 17 milionë euro borxhe për energji elektrike.

“Sepse deri në dhjetor furnizimi i veriut ka shkuar direkt nga Serbia”, ka pretenduar ajo, raporton agjencia e lajmeve serbe Tanjug.

Sipas saj, KOSTT është operatori i sistemit të transmisionit, dhe se dërgimi tek përdoruesit fundor bëhet nga distributori.

VIDEO:

Nuk i la anash as botëkuptimet nacionaliste, duke shtuar se energjia e Kosovës “i përket Serbisë”, e Prishtina ia ka bartur një operatorit turk.

Sistemi energjik i Kosovës

Këto çështje sipas saj duhet të zgjidhen në tryezën e Brukselit.

Akuzon Kosovën për qasje “jo konstruktive”, në dialog.

“Prishtina di vetëm të shantazhojë”, thekson ajo.

Për këtë, kërkon që sa më shpejt të formohet Asociacioni i Komunave Serbe.

“Vetëm në këtë mënyrë serbët do të jetojnë normalisht”, tha ajo.

Por, pagesa e rrymës për serbët nga taksapaguesit kosovarë është cilësuar si diskriminim nga shoqëria civile në Prishtinë.

Përfshirë edhe partitë opozitare në vazhdimësi kanë kërkuar që të ndryshohet çdo normë ligjore që e detyron Kosovën t’iu paguar rrymën serbëve verior.

Pikërisht, kjo edhe ka ndodhur tash; gjatë Qeverisë “Kurti 2”.

Mirëpo, sipas Zorana qëllimi është që “serbët të lihen pa rrymë”, duke aluduar në shkelje të të drejtave të njeriut. /Insajderi.com