Sërish dështon seanca ndaj Albulena Haxhiut, Pal Lekajt e dy ish-deputeteve për hedhjen e gazit lotsjellës

Seanca

Për të gjashtën herë me radhë, të enjten, është shtyrë gjykimi për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, në vitin 2016, për çka po akuzohen ministrja e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu.

Seanca e së enjtes dështoi të mbahet pasi të akuzuarit deklaruan se nuk janë të pajisur më provat në shkresat e lëndës.

VIDEO:

Në këto rrethana, gjykatësja Fatime Dermaku e caktoi seancën e radhës për 14 prill 2021, në ora 09:00.

Fillimisht, gjykatëse e këtij rasti ka qenë gjykatësja Naime Krasniqi – Jashanica, por pas kalimit të saj nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departament të Përgjithshëm, ky rast do të gjykohet nga gjykatësja Fatime Dermaku, raporton “Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, para se ky rast të kalonte te gjykatësja Dermaku, seancat e parapara të mbahen me 10 dhe 30 korrik, si dhe seancat e 2 dhe 15 shtator 2020, nuk kishin arritur të mbahen.

Kurse, seanca e caktuar për 16 mars të këtij viti është shtyrë në mungesë të të akuzuarit Lekaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 8 prill 2016, Lekaj, Baftiu, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu akuzohen se pa autorizim kishin poseduar bombola të gazit lotsjellës.

Në aktakuzë thuhet se më 19 shkurt 2016, rreth orës 12:20, në hollin e Kuvendit e Kosovës, pas pauzës së punimeve të Kuvendit, derisa të akuzuarit ishin duke u kthyer në sallë, gjatë kontrollit nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit, tek të akuzuarit ishin gjetur dhe sekuestruar nga një bombole e gazit lotsjellës, të cilën e mbanin pa autorizim.

Për këto veprime, katër të akuzuarit po dyshohet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, paragrafi 1, të KPRK-së.