Shtatë persona mbetën të lënduar nga aksidenti në Komoran ku u përfshinë dymbëdhjetë vetura

Bajram Krasniqi

Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur sot në magjistralen Prishtinë-Pejë, më saktësisht në afërsi të Komoranit.

VIDEO:

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi ka thënë se deri në këto momente shtatë persona janë deklaruar se kanë pasur lëndime.

“Më herët u njoftuam për tri aksidente në rrugën nacionale Prishtinë-Pejë (tek Kroi i Mbretit). Në tri aksidentet janë përfshirë dymbëdhjetë vetura dhe si pasojë e aksidenteve deri në këto momente, shtatë persona janë deklaruar se kanë pësuar lëndime”, ka thënë Krasniqi.

Policia e Kosovës ka apeluar nga pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e trafikut rrugor.

“Ndaj kundërvajtësve po zbatohet zero tolerancë, kështu këto ditë kemi numër rekord të ndëshkimeve për shkelësit e rregullave të trafikut. Për tetë ditë të shkuara, janë 13 319 gjoba të shqiptuara, aktivitete do të vazhdojnë, POR kërkohet nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik respektim i rregullave të trafikut, në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta”, tha Krasniqi.