Skandali me deformimin e flamurit të Kosovës – televizioni grek kërkon falje

Skuadra e Kosovës në hendboll gjatë të dielës e ka zhvilluar ndeshjen kualifikuese për ‘Kampionatin Botëror 2023’ kundër Greqisë, të cilën e ka humbur me rezultat të ngushtë 26-25.

Kjo sfidë është transmetuar në ‘EPT3’ (‘ERT3’), një prej kanaleve televizive të Korporatës së Transmetuesve të Greqisë, që kishte bërë një skandal duke e shfaqur hartën e Australisë në vend të hartës së Kosovës në flamurin tonë shtetëror.

Në një përgjigje me shkrim për Kohën, drejtori gjeneral i ‘EPT3’, Filios Stangos, ka thënë se është fjala për një gabim të paqëllimshëm dhe me këtë rast ka kërkuar falje.

VIDEO:

“Më lejoni së pari të shpreh keqardhjen tonë më të thellë në emër të ERT-së për keqinterpretimin flagrant të flamurit të Republikës së Kosovës gjatë transmetimit të ndeshjes së hendbollit “Greqi vs Kosovë, të dielën e kaluar”.

Televizioni grek shfaq pamje skandaloze: E paraqet flamurin e Kosovës me hartën e Australisë Televizioni grek shfaq pamje skandaloze: E paraqet flamurin e Kosovës me hartën e Australisë

“Si koleg, mund të ndaj hutimin tuaj për një gabim të tillë. E vërteta është se disenjatorja grafike që ishte në detyrë të shtunën e kaluar zgjodhi të injorojë udhëzimet e detajuara të eprorëve të saj, duke vendosur të kërkojë në ‘google’ (në greqisht) flamurin e Kosovës. Dhe më pas ajo përdori një imazh të gabuar të propozuar nga një uebfaqe”, ka shkruar Stangos në përgjigjen për Kohën duke prezantuar edhe faqen e internetit prej nga është marrë flamuri i deformuar i Kosovës.

“Përsëri dëshirojmë të shprehim keqardhjen tonë më të thellë për zhgënjimin e kuptueshëm të shkaktuar te bashkëqytetarët tuaj nga ky keqinterpretim. Duam t’ju sigurojmë se në asnjë mënyrë nuk ishte rezultat i një akti të qëllimshëm nga personeli ynë”, ka shkruar tutje drejtori i televizionit grek.

Federata e Hendbollit e Kosovës ka kërkuar sqarime lidhur me flamurin e paraqitur nga televizioni grek, ndërkaq ka njoftuar se të gjithë simbolet e Kosovës janë respektuar gjatë ndeshjes në Heraklion, ku është shfaqur flamuri i Kosovës e është intonuar himni. Madje flamuri është shfaqur edhe në autobusin me të cilin ka udhëtuar Kosova në qytetin grek dhe në hotelin ku ishte e vendosur përfaqësuesja. Pritja e delegacionit të Kosovës nga grekët, sipas FHK-së, ishte e shkëlqyeshme.

The post Skandali me deformimin e flamurit të Kosovës – televizioni grek kërkon falje appeared first on Telegrafi.