Skender Hyseni del para gjykatës, deklarohet i pafajshëm për deklarim të rremë të pasurisë

Skender Hyseni

Ish-Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, Skender Hyseni është deklaruar i pafajshëm për mosraportim të e saktë të pasurisë, brenda afatit ligjor.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Hyseni e ka dhënë në seancën fillestare pas leximit të aktakuzës nga prokurori Besart Mustafa, raporton “Betimi për Drejtësi”.

VIDEO:

“Jo absolutisht jo”, deklaroi Hyseni.

Ndryshe, lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze ndaj tij, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, Hyseni kishte deklaruar se aktakuza është e paqëndrueshme dhe se është i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokatin Fatlum Podvorica e ka njoftuar gjykatën se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Pas kësaj, gjykatësi Sadiku ka deklaruar se i akuzuari ka të drejtën që brenda afatit prej 30 ditësh të paraqesë kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, si dhe ka shuar se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë rezulton se më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë me rastin e marrjes së detyrës Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).

Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kreysi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.