Tahiri-Kurtit: Mirë se erdhe në Kosovë nga muaji i mjaltit

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e së enjtes ka filluar fjalimin duke i uruar me ironi mirëseardhje kryeministrit Albin Kurti, pas dy javësh qëndrimi në shtetet e huaja, të cilën Tahiri e quajti “muaji i mjaltit”, njofton Insajderi.

Shefi i deputetëve të PDK-së ka pasur kritika për Kurtin, duke thënë se i njëjti nuk është kthyer nga vizita e tij në Francë e Greqi, edhe pas rastit në Deçan e reshjeve që shkaktuan dëme materiale në vend.

VIDEO:

“Kryeministër mirë se erdhe në Kosovë. Shpresojmë që qëndrimi juaj 14 ditor në bregdetin e Greqisë do ta jap shtytjen për ta përfunduar muajin e mjaltit. Ky qëndrim do të kishte kuptim po t’i mbroje interesat e shtetit, por qëndrimi juaj s’kishte të bënte me interesa kombëtare”, është shprehur Tahiri.

Deputeti i PDK-së, tutje ka thënë se derisa kosovarët nuk mund të lëvizin pa viza, Kurti po qëndron në hotele luksoze të botës.

“Qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin pa viza, e nuk kanë mundësi të qëndrojë në hotele luksoze në të cilat qëndron kryeministri jonë. Në ditën ku e ka marrë lajmin për qytetarët e Deçanit, ai do të ishte dashur që të kthehet, pra vendi ku ishte kryeministri jonë ishte nja 6-7 orë larg me veturë”, shtoi ai./Insajderi.com