Takim Rama-Basha? Largohen nga e njëjta derë, me diferencë dy minuta

Dalin pamjet kur kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës Lulzim Basha janë larguar sot nga aerporti i Rinasit, në një distancë kohore prej 2 minutash mes tyre, ndërkohë që ka aludime se mund të kenë pasur një takim në sallën VIP, në prani të komisionerit për zgjerimin Oliver Varhelyi.

Rama dhe komisioneri patën një konferencë të përbashkët mes tyre, ndërkohë që Basha e ka takuar Varhelyi në ambientet e brendshme të aeroportit të Rinasit, ku padiskutim fokusi i bisedës ka qenë mbajtja e zgjedhjeve të së dielës.

VIDEO:

Sa i takon zgjedhjeve, komisioneri për zgjerimin tha se duhet të hetohen të gjitha pretendimet e palëve sa i takon fenomenit të blerjes së votave dhe rezultatit final të zgjedhjeve.

“Ne kemi një ambasador vërtetë shumë të mirë në Shqipëri, kështu që ne jemi në kontakt të vazhdueshëm dhe për zgjedhjet, jam shumë i kënaqur për punën që ai po bën. Unë kam ndjekur dhe atë që ka thënë OSBEODHIR, pas një fushate të zjarrtë ne na duhen rezultate të qarta. Ne duhet të shohim të gjitha parregullsitë, qoftë edhe pretendimet për blerjen e votave.

Ne na duhet që Kuvendi të nisë nga puna shumë shpejt, pa një Kuvend të plotë nuk mund të bëhen reformat. Në rast se do të hapet konferenca ndërqeveritare me Shqipërinë, puna duhet të përshpejtohet, ne të gjithë duhet të shohim rezultatet e procesit të apelimit, dhe shpresojmë qën Shqipëria të ecë përpara”, tha Varhelyi.

Edi Rama nga ana e tij tha se ai ka shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën, dhe ftesa për bashkëpunim me PD-në mbetet ende e hapur. Ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha nuk i ka njohur zgjedhjet dhe si rrjedhojë ka paralajmëruar nisjen e një turi ndërkombëtar për të denoncuar sipas tij manipulimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Kreu i PD ka kërkuar nga degët lokale dhe kandidatët për deputetë të mbledhin të gjitha provat që faktojnë akuzat e opozitës.