Të premten seanca për zgjedhjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet këtë të premte, ku në rend dite do të ketë zgjedhjen e presidentit të Kosovës, e në këtë garë është Vjosa Osmani e cila ka dalë personi më i votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke marrë mbi 300 mijë vota, njofton Insajderi.

Burime të “Kohës” kanë bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje, është duke bërë përgatitjet që këtë të premte të thirr seancë të jashtëzakonshme përmes mbledhjes së 40 nënshkrimeve të deputetëve, ku edhe do të votohet për zgjedhjen e presidentit.

VIDEO:

Sipas Kushtetutës së Kosovës, votimi i presidentit bëhet me votë të fshehtë, dhe zgjedhja e tij duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatatit të presidentit aktual, ndërsa Kosova që nga nëntori është me ushtrues të detyrës së këtij institucioni, pasi ish-presidenti Hashim Thaçi, dha dorëheqje pas ftesës nga Gjykata Speciale ku po akuzohet për krime lufte.

Osmani e cila ka shpallur kandidaturën e saj për postin e presidentes që para zgjedhjeve të 14 shkurtit, duhet të marrë 2/3 e vota në Kuvend, ndërsa ashtu siç e parasheh Kushtetuta, Osmani pritet ta ketë një kundërkandidat dhe në rast se asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave, në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Deri tani PDK-ja dhe AAK-ja kanë dalë kundër Osmanit si presidente e Kosovës, duke thënë se ajo nuk përfaqëson unitetin e popullit ashtu siç e parashikon Kushtetuta e vendit, ndërsa këtë të martë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku u ka bërë thirrje të 15 deputetëve të partisë së tij që të qëndrojnë në sallë në momentin kur të votohet për Osmanin, pasi një kandidati i nevojitet kuorumi prej dy të tretave (81 deputetë), në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje përfaqësohet në Kuvend nga 58 deputetë, ndërsa pritet që edhe komunitetet jo shumicë (10), duke përjashtuar Listën Serbe (10), do ta mbështesin me votë zgjedhjen e Osmanit në postin e Presidentit./Insajderi.com