TIKA turke: S’kemi qëllim të tjetërsojmë trashëgiminë kulturore të Kosovës

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) thotë se nuk ka për qëllim të zbatojë asnjë projekt që është në kundërshtim me të kaluarën e shtetit të Kosovës, njofton Insajderi.

TIKA ka hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.

“Deri më tani, në asnjë mënyrë në asnjë shtet nuk kemi zbatuar, nuk jemi duke zbatuar dhe nuk do të zbatojmë projekte në kundërshtim me kulturën dhe traditat e atij shteti”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s për REL.

VIDEO:

Çështja e Hamamit të Madh u bë temë diskutimi javën e kaluar, kur në fotografitë e prezantimit të projektit nga ana e Komunës së Prishtinës dhe TIKA-s vërehej se këtij objekti i ishte ndryshuar emri.

“Sa i përket projektit në fjalë, është një proces që është duke vazhduar për zbatimin e saj dhe ne sikur deri më tani, do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë popullit të Kosovës si dhe me projektet tona do të vazhdojmë të mbështesim Kosovën në çdo aspekt”, thuhet në përgjigjen e TIKA-s.

Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.

Drejtori i Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore, Imer Hakaj, tha të martën për Radion Evropa e Lirë se pas shqetësimeve të ngritura, ky institucion është duke analizuar të tërë lëndën e këtij projekti.

“Jemi duke e analizuar lëndën. Ende nuk e kemi shikuar tërë projektin”, tha Hakaj.

Ai nuk dha më shumë detaje, me arsyetimin se pas rishikimit dota kenë më të qartë situatën. /Insajderi.com