Tragjedia në Bullgari, dyshohet se udhëtari i 52-të ishte një arab që tashmë është i zhdukur

Tragjedia

Prokurorja bullgare, Silka Mileva, gjatë konferencës së sotme për media, nuk u përgjigj në pyetjen se a është 36-vjeçari Shaip Nauf Al Salah, shtetas i Emirateve të Bashkuara Arabe, udhëtari misterioz i autobusit të aksidentuar.

VIDEO:

Emrin e tij e kanë parë familjarë të të mbijetuarve në listën që e kanë marrë nga autoritetet bullgare. Këtë e pohon për mediat bullgare edhe Besar Memedi, djali i shoferit të dytë, Kadri Memedi, i cili ka humbur jetën në vend ngjarje, shkruan Shenja.

Por në listën zyrtare të të mbijetuarve të cilën e publikoi MPJ e Maqedonisë së Veriut, nuk qëndron emri i shtetasit arab.

Hetuesit bullgar, në mënyrë shtesë do të hetojnë kush është ky njeri dhe ku gjendet. Nëse ai ka shpëtuar nga autobusi i djegur dhe më pas në mënyrë misterioze është zhdukur natën.

Disa orë para aksidentit, në pikëkalimin kufitar Kapitan Andreevo, nga drejtimi i Turqisë ka hyrë një autobus, në pronësi të agjencisë turistike “Besa Trans” me 52 udhëtarë dhe ata janë evidentuar nga shërbimet kufitare bullgare.

Nëse mblidhet numri i viktimave 44 dhe numri i të mbijetuarve 7 atëherë ato janë gjithsej 51 persona, për dallim nga ajo se në pikëkalimin kufitar janë evidentuar 52, ka theksuar prokurorja bullgare Silka Mileva.

Mileva thekson se 20 minuta para momentin të kobshëm, udhëtarët kanë pushuar në stacionin e benzinës dhe po kontrollohen videot që të vërtetohet se kush ka hipur në autobus, ndërsa po kontrollohen edhe dokumentet në pikat kufitare ku është regjistruar hyrja e të gjithë udhëtarëve të autobusit i cili mori flakë në autostradën “Struma”.