Trudeau në takim me Osmanin: Kanada do të vazhdojë të lobojë për njohjen e Kosovës

“Kanadaja do të vazhdojë të lobojë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri kanadez, Justin Trudeau, transmeton Insajderi.com.

Këto deklarata ai i bëri në takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

VIDEO:

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit kanadez, në këtë takim ata kanë biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe çështjet aktuale globale.

“Ai tregoi se Kanadaja vazhdon të lobojë për njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit kanadez.

Po ashtu, dy liderët kanë diskutuar për prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë edhe fuqizimin e grave, mbrojtjen e mjedisit dhe ndryshimet klimatike, por edhe për sundimin e ligjit dhe demokracinë.

Ndërkaq, në njoftim thuhet se Osmani ka folur edhe për reformat e brendshme në Kosovë, me theks në iniciativat kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike si prioritetet e saj kryesore./Insajderi.com