Vaksina ende askund, Kosova nxjerr plan për imunizim të 70 për qind të popullsisë

<!–

–>

Kosova nxjerr plan për vaksinim të 70 për qind të popullsisë.

Ani pse nuk ka asnjë dozë vaksine e as afat se kur do t’i marrë ato, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë Planin e ri shtetëror të vaksinimit, me të cilin ka paraparë vaksinimin në 3 faza me synim të mbrojtjes nga koronavirusi të 70 për qind të popullsisë. Vaksina e parë që pritet të arrijë është ajo e “AstraZenecas” nga skema COVAX. E për të imunizuar 70 për qind të popullsisë siç parashihet në Plan, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, Kosovës i duhen së paku 2.5 milionë doza vaksine

VIDEO:

Disa frigoriferë për ruajtjen e vaksinës së “Pfizer-BioNTech”, deri në minus 80 gradë celsius, kanë mbetur në korridorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Kjo, pasi që Kosova ende nuk ka pranuar asnjë dozë të vaksinës anti-COVID, ani pse disa herë nga institucionet u premtua se kjo do të ndodhë gjatë muajit shkurt.

Ministria e Shëndetësisë të premten ka aprovuar Planin e ri shtetëror për vaksinim kundër COVID-19 në Kosovë, edhe pse një plan të tillë e kishte aprovuar edhe vitin e kaluar.

Sipas këtij plani, në fazën e parë pritet që të vaksinohet 3 për qind e popullatës për të vazhduar me fazën e dytë për 17 për qind e në atë të tretën 50 për qind.

“Sipas planit të pasqyruar në këtë dokument (Plani Shtetëror i Vaksinimit), futja në përdorim e vaksinës kundër COVID-19 do të bëhet gjate tri fazave. Në fazën e parë të futjes në përdorim të vaksinës, 3 % e popullsisë (apo 54,000 punëtorë shëndetësorë dhe të moshuar) do të vaksinohen. Në fazën e dytë – pjesa tjetër e popullsisë prej 17 % (306,000 qytetarë) do të vaksinohen”, shkruan aty.

Tutje aty thuhet se vëmendje e veçantë do t’i kushtohet barazisë në shpërndarje të tyre. Kësisoj, rreth 11 mijë doza vaksinash do t’u dedikohen 5400 punonjësve shëndetësorë dhe të moshuarve (nga 10 për qind e popullsisë që vaksinohet në fazën e parë) në dhjetë komuna me shumicë serbe. “Strategjia e shpërndarjes së vaksinave në këto komuna është e njëjtë me komunat e tjera”, thuhet në Plan.

Sipas këtij dokumenti 70 faqesh gjatë fazës së parë dhe të dytë do të përdoren vaksinat që do të vijnë nga skema COVAX e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e në fazën e tretë planifikohen ato të kompanisë “Pfizer”.

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë kanë thënë se ky plan është më gjithëpërfshirës dhe është i ndarë në tri faza, derisa plani i kaluar ka qenë i përshtatur për vaksinimin e një numri më të vogël personash.

“AstraZeneca” është vaksina e parë që pritet të mbërrijë në Kosovë, e që sipas Naser Ramadanit, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, ata janë gati për të filluar me vaksinim.

Ramadani ka thënë se trajnimet e stafit mjekësor janë duke vazhduar. “Trajnimet tashmë janë kryer. Kanë mbetur vetëm disa trajnime specifike varësisht prej prodhuesve dhe se çfarë vaksinash do të vijnë. E dini se së shpejti në Kosovë do të vijnë të ‘AstraZenecas’ dhe do të shpërndahen sipas prioriteteve menjëherë”, ka thënë ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë më 15 shkurt aprovoi për përdorim emergjent vaksinën e prodhuar nga kompania farmaceutike “AstraZeneca”, në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Kjo është vaksina e dytë që autorizon OBSH-ja, pas autorizimit të vaksinës “Pfizer/BioNTech” në muajin dhjetor.

Në raportin e aprovuar nga MSH-ja janë paraqitur edhe kategoritë që pritet të vaksinohen kundër COVID-19, ku në të parën janë personeli mjekësor, banorët e shtëpive të të moshuarve, personat me sëmundje kronike dhe ata mbi 80 vjeç.

E në fazën e dytë prioritet u është dhënë mësimdhënësve e pjesëtarëve të forcave të sigurisë të përfshirë në menaxhimin e pandemisë. Pra, sipas këtij plani synohet vaksinimi i 70 për qind e popullsisë, apo 1 milion e 260 mijë persona.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, vitin e kaluar kishte njoftuar se kanë arritur edhe një marrëveshje me kompaninë prodhuese të vaksinës “Pfizer” për sigurimin e mbi 300 mijë dozave, por që kjo është vënë në dyshim nga vetë kompania. Qenë premtuar edhe doza të tjera nga shteti i Austrisë, nga një kompani që ende nuk e ka të licencuar vaksinën.