“Varri më qet nga dheu mos me kundërshtu”, Haradinaj shpërthen në lot kur flet për krimet e Millosheviqit

Hagë

Sot, në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar dëshmia e Nasim Haradinajt në rastin kundër tij dhe ish-kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit.

Edhe në seancën e sotme, Haradinaj shpërtheu në lot. Kësaj radhe ai nuk u përmbajt kur foli për krimet që Sllobodan Millosheviq kreu në Kosovë.

VIDEO:

Ai tha se është kundër Millosheviqit dhe kujtdo që i merr për bazë të dhënat e tij.

“Jam kundër çdokujt që bazohet në të dhënat e Millosheviqit…Varri më qet nga dheu mos me kundërshtu Millosheviqin unë”, ka thënë Haradinaj derisa nuk i ka mbajtur lotët.

Haradinaj ka thënë se do të mbështeste këtë gjykatë nëse e njëjta do të merrej me të gjitha krimet, pasi që për 100 vjet ai tha se Serbia ka vrarë, ka prerë dhe ka grirë shqiptarë të Kosovës.

“Në momentin që e shtini zbulimin e të gjitha krimeve, ndryshoni qasje, prandaj janë këto që njerëzit nuk ju duan, kështu po reflektoni ndoshta është e gabueshme, kështu po reflektoni dhe është mirë dikush të thotë si po reflekton, është ndihmë, duhet me qenë falënderues, me sjelljet e juaja kështu po reflektoni.”

“Njeriu që ka dënuar me vdekje njerëz, Vukçeviq nëse guxohet me fol, gjatë luftës, njeriu i parë i Millosheviqit, dyshi njeriu i parë i Millosheviqit, dhe t’i referoheni këtyre, çka mendon që ata mendojnë për shqiptarët, patologjikisht ata e kanë krijuar sendoren me i urrejt shqiptarët, nuk mund të vijë asgjë tjetër, edhe nëse vjen e drejtë besomani nuk do të jetë e besueshme prej popullit tim, 100 vjet na kanë vrarë, pre, grirë”, ka thënë Haradinaj.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.