Vazhdon rinumërimi i 494 vendvotimeve, deri më tash janë rinumëruar 44 prej tyre

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve.

Deri më tani janë rinumëruar 44 vendvotime nga 494.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Deri të hënën në mesnatë janë rinumëruar 44 vendvotime nga 494. Rinumërimi që ka filluar të hënën pasdite është duke vazhduar”, ka thënë Elezi.

VIDEO:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur dje, mori vendim për rinumërimin e 494 vendvotimeve pas rekomandimit nga ana e QNR-së.

KQZ vendos që 494 vendvotime të shkojnë në rinumërim KQZ vendos që 494 vendvotime të shkojnë në rinumërim

Arsyet e rinumërimit të këtyre vendvotimeve mund të kategorizohen në katër grupe kryesore:

1. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.

2. Gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.

3. Në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.

4. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas. /Telegrafi/

The post Vazhdon rinumërimi i 494 vendvotimeve, deri më tash janë rinumëruar 44 prej tyre appeared first on Telegrafi.