Vdekja e punëtorit të KEDS-it, rasti i parë pas disa vjetësh në këtë kompani

Vdekja e punëtorit të KEDS, Idriz Prekazi, të mërkurën e 21 korrikut në Skënderaj, është rasti i parë pas disa vjetësh që një punëtor humbë jetën në vendin e punës në këtë ndërmarrje.

Kështu bën të ditur për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili shfrytëzoi edhe rastin të shpreh ngushëllime ndaj familjes, duke thënë se ky rast tragjik është një humbje e madhe për kompaninë.

Por, në mënyrë që mos të përballen shpesh me humbje të tilla, Buzhala sqaron se KEDS përgjatë viteve të fundit ka ndërmarrë masa preventive që aksidentet në punë të jenë në numër minimal.

“Fatkeqësisht, dje një punëtor yni ndërroi jetë gjatë intervenimit. KEDS bashkëndjenë në këto momente të rënda me ata që e njohën atë dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes. Ky rast tragjik është një humbje e madhe për kompaninë. Ky është rasti i parë pas disa vjetësh që një koleg yni humb jetën gjatë punës”, ka thënë ai.

VIDEO:

“Sa i përket ndërmarrjes së masave preventive, KEDS ka bërë gjatë viteve të fundit të gjitha përgatitjet dhe ka punuar fuqishëm që aksidentet në punë të zvogëlohen në maksimum. Kështu edhe ka ndodhë në realitet”, shtoi Buzhala.

Për të treguar se të gjithë punëtorët janë të pajisur me mjete mbrojtëse, ai përmendi Qendrën e Trajnimeve e cila është ndërtuar për simulimin e rrjetit elektrik në miniaturë, ku trajnohen e certifikohen për siguri të gjithë punëtorët.

“Ne kemi ndërtuar Qendrën e Trajnimeve ku është i simuluar rrjeti elektrik në miniaturë dhe ku trajnohen e certifikohen për siguri të gjithë punëtorët tanë. Paralelisht të gjithë janë të pajisur me mjete mbrojtëse”, tha ai.

Buzhala më tej thekson se “KEDS është marrë shëmbull vazhdimisht edhe nga Sindikatat që mbrojnë punëtorët, duke përfshirë edhe BSPK-në, edhe mekanizmat ndërkombëtarë dhe tek ne vijnë edhe kompanitë e rajonit”, mirëpo nuk tregoi nëse parashihet të ketë dëmshpërblim nga ana e ndërmarrjes për familjen e punëtorëve që humbin jetën në vendin e tyre të punës.

Vdekjen e 53-vjeçarit, i cili vdiq si pasojë e kontaktit me rrymën, e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale e Mitrovicës.

Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, i tha redaksisë se viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ndërsa më vonë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima ka vdekur.

Incidenti që përfundoi me fatalitet për drenicasin, ka ndodhur rreth orës 17:30 në rrugën “Marie Shllaku”, në Skënderaj.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, i cili e cilësoi Prekzain si punëtor, burrë, prind e mik shembull.

“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për vdekjen në mënyrë tragjike të shokut e mikut tim, Idriz Prekazi. Si punëtor i vyer i KEDS-it, Idrizi sot brenda orarit zyrtar të punës, duke i shërbyer vendit dhe qytetarëve, vdiq në menyrë tragjike pas një incidenti me energji elektrike”, ka shkruar Jashari në llogarinë e tij në Facebook.

“Idriz Prekazi ishte një punëtor, burrë, prind, mik e shok shembull për të gjithë. Vdekja e tij tragjike është një goditje e madhe për të gjithë ne. Në emrin tim personal dhe të komunës së Skenderajt, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Prekazi, kolegët e punës, shokët dhe të gjitha ata që kishin fatin ta njohin Idrizin. U prehsh në paqe mik i dashur!”, shtoi ai.

Bazuar në konfirmimin e Policisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.  /Insajderi.com