Vendimi i Qeverisë Kurti për shkarkimin e Sekretarit të Këshillit të Sigurisë vlerësohet si jolegjitim

Vendimi i Qeverisë

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës e ka vlerësuar si jolegjitim vendimin e Qeverisë për shkarkimin e Shpend Tërdevajt nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm në Këshillin e Sigurisë së Kosovës.

VIDEO:

Në dokumentin e siguruar nga Indeksonline thuhet se shfuqizohet vendimi i Qeverisë për shkarkimin e Tërdevajt dhe çështja kthehet në rishqyrtim.

Në të njëjtën kohë, kryeministri obligohet që këtë vendim të Këshillit ta zbatojë në një periudhë kohore prej 15 ditësh.

Shpend Tërdeva ishte shkarkuar nga Qeveria në nëntor të vitit të kaluar, nën arsyetimin se rekrutimi i tij në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm ishte bërë në shpërputhje me dispozitat ligjore.

“Në vazhdën e vendimeve tona për të kthyer ligjshmërinë në institucionet e Republikës së Kosovës sot para jush sjell propozim vendimin për shfuqizimin e vendimit 16/31 përmes së cilit është emëruar në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm Këshillit të Sigurisë, z. Shpend Tërdevajn, nisur nga fakti që rekrutimi i z. Tërdevaj në këtë pozitë është bërë në shpërputhje me dispozitat ligjore në fuqi të përcaktuar në ligjin për zyrtarët publik është e domosdoshme që ky vendim të shfuqizohet në bazë të ligjit për procedurën e përgjithshme administrative”, kishte thënë kryeministri Albin Kurti në shkarkimin e tij.

Tërdeva ishte emëruar si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Sigurisë në shtator të vitit 2020, nën udhëheqjen e Qeverisë Hoti.