Vetdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen e 23-vjeçarit në Mitrovicë

Valmir Selimi

Është vetdorëzuar në Polici i dyshuari për vrasjen e një 23-vjeçari në Mitrovicë më 12 shkurt.

VIDEO:

Në mbrëmjen e 12 shkurtit gjatë një përleshje ku janë përfshirë tre persona dhe ku është përdorur edhe arma e zjarrit, kishte mbetur i vdekur një person dhe ishin lënduar dy tjerë që janë dërguar për tretman në QKUK.

Sinjali ka mësuar se më datën 20 shkurt, i dyshuari mashkull kosovar është vetdorëzuar në polici dhe në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili për të dyshuarin ka vendosur masën e ndalimit për 48 orë.

Natën kur ndodhi vrasja, u raportua  se një person i moshës 23-vjeçare ka mbetur i vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në picerinë “Propper Pizza” në Mitrovicë. Një punëtore e “Maestro Delivery” pasi që e kishte lënë punën aty për të punuar në “Proper Pizza”, kishte inatosur të dyshuarin Valmir Selimi, pronar i biznesit “Maestro”.

Selimi kishte shkuar për të qëruar hesapet në picerinë “Propper Pizza”. Siç mësohet, Selimi kishte cak të vrasjes pronarin e “Propper Pizzas”. Mirëpo, atij i kishte dalë përpara viktima 23-vjeçar, i cili ishte qëlluar dhe pasi që nuk kishte mundur t’i mbijetonte plagëve, kishte vdekur. Mësohet se viktima është Mehmet Kurti nga Kçiqi i Mitrovicës.