Veterani i UÇK-së, Burim Zeka – i sëmurë tash e dy vjet ka nevojë edhe për kulm mbi kokë

Jeta nuk iu kishte dhimbsur për vend dhe atdhe, rezistoi dhe qëndroi stoik përballë dhimbjeve të shkaktuara nga forcat serbe në fushëbetejat e gjata dhe të përgjakshme gjatë luftës në Kosovë.

Mirëpo 23 vjet pas, ai tash po lufton edhe me një armik tjetër, por që kësaj radhe  po i shkakton dhimbje të mëdha e që po e bën ta “shoh vdekjen me sy”.

Veterani i luftës së UÇK-së, 40 vjeçari nga Skenderaj, Burim Zeka aktualisht po ka probleme shëndetësore dhe është duke u përballur një tumor, të quajtur “nurofibromatoz”, e që përfshinë trurin, palcën kurrizore dhe nervat.

Por brenga e tij nuk është vetëm sëmundja, pasi Zeka me gruan dhe fëmijët jeton në një banesë me qira dhe e ka shumë vështirë ta përballojë gjithë këtë gjendje.

Zeka me gruan dhe fëmijët jeton në një banesë me qira dhe e ka shumë vështirë ta përballojë gjithë këtë gjendje.

VIDEO:

“Unë jam Burim Zeka jetoj në komunën e Skenderajt, jetoj këtu në këtë banesë me qira, prej vitit të kaluar. Jam i diagnostifikuar me neurofibromatoz. Mjekët po thonë që nuk guxojnë të bëjnë ndërhyrje kirurgjike, sepse mundem të mos dal fare nga operacioni. Tash vetëm me infeksione dhe infuzione kundër dhimbjes me tjetër asgjë.

Gjatë gjithë kohës kam dhimbje nganjëherë edhe shumë të forta. Shteti nuk më ka ndihmuar me asgjë absolut përveç pensionit të veteranit që e marr. Kurse qiranë e shtëpisë me këtë pension që e marr mundohemi me e pagu, por edhe do shok që i kam më ndihmojnë”, tregon ai.

Veterani i luftës që ndodhet në gjendje të rëndë ka një thirrje për të gjithë ata që e shikojnë, e po ashtu edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Të gjithë ata që me shohin ju kisha bërë apel vetëm prej kësaj qiraje me më hjek, në ndonjë banesë me më dërgua por jo edhe fort larg mjekëve. Sepse kam nevojë natën e ditën për mjek. Kurse qeveria le t’i hap sytë, le të shikojnë pak sepse na ka lënë shumë anash. Sepse jo vetëm unë por ka shumë të tjerë veteranë që kanë nevojë për shtetin, për qeverinë tonë”, shprehet Burimi.

Ibadete Zeka, bashkëshortja

Ibadete Zeka, gruaja e veteranit Burim Zeka, ndonëse me halle të shumta, vazhdon të mbahet e fortë përballë sfidave të jetës.

Ajo thotë se nuk po munden t’i përballojnë shpenzimet edhe të qirasë edhe ato të kujdesit mjekësorë që i duhen patjetër burrit të saj për të mbijetuar.

“Qe dy vjet e kam burrin në këtë gjendje të paralizuar siç po e shihni, kujdesem për të si me qenë fëmijë i vogël. Ne më herët kemi jetuar në Plluzhinë por për shkak të Burimit ne kemi dalë këtu. Mjekët vinin edhe atje por ky kishte nevojë për mjekë dy- tre herë në ditë, por edhe natën. Dikush me dal vetëm prej kësaj qiraje me na hjek për të tjerat ia bëjmë disi. Është shumë e vështirë edhe të sëmurin edhe me pagu qiranë… Ka hapa të llojllojshëm dhe janë të shtrenjtë. Po shpresoj që ka njerëz të mirë që vetëm vesin e qeras na e hjekin. Mundësisht ndonjë banesë afër spitalit sepse unë jam e vetme, ka raste kur mjekëve nuk iu bëjnë telefonat më duhet të shkoj vetëm në emergjencë”, rrëfeu Ibadetja.

E ajo që dhimbjen ua shton akoma më shumë të dyve, është edhe përballja e fëmijëve çdo ditë me sëmundjen e babait.

“Është shumë e vështirë për mua me jetu në këtë gjendje, por më e vështirë është për fëmijët me më pa në këtë gjendje”, shprehet Burimi.

“E për fëmijët më vjen shumë zor, sepse më vjen gjynah edhe prej fëmijëve me e pa babain tu hjek”, thotë Ibadetja.

Kurse ushtruesi i detyrës së drejtorit në Qendrën  Kryesore të  Mjekësisë Familjare në Skenderaj, Agron Mehmeti thotë se gjendja shëndetësore e Burimit po shkon duke u përkeqësuar dhe ka nevojë për përkrahje financiare.

“Siç jeni njoftuar pacienti Burim Zeka, 40 vjeçar është me gjendjen më të rëndë shëndetësore e gjithashtu edhe ekonomike dhe sociale. Burimi tash e një kohë vuan nga një sëmundje e rëndë që fatkeqësisht kërkon një përcjellje profesionale dhe sociale të mirë. Ne mundemi me ia kry tretmanin që na takon mirëpo Burimi ka nevojë për tretman shtesë për barëra. Gjendja e tij po shkon duke u përkeqësuar dhe i duhet një përkrahje më e madhe financiare”, tha Mehmeti. /Telegrafi/

The post Veterani i UÇK-së, Burim Zeka – i sëmurë tash e dy vjet ka nevojë edhe për kulm mbi kokë appeared first on Telegrafi.