Vetëvendosje ende nuk i ka të sigurta votat për Vjosa Osmanin

<!–

–>

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk është e sigurt se në votimin e kandidates së tyre për presidente, Vjosa Osmani, do të marrin pjesë numër i mjaftueshëm i deputetëve. Kryetarja e Grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se janë në diskutime edhe me deputetë të tjerë.

Mundësia që të dështojë zgjedhja e presidentit të vendit, e për pasojë vendi të shkojë në zgjedhje, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të mos e thërrasë seancën e Kuvendit të Kosovës. Nuk ka ende një datë zyrtare se kur mund të mbahet seanca, e po ashtu mbetet e paqartë nëse gjatë votimit të presidentes do të votojnë të paktën 80 deputetë.

VIDEO:

Shefja e Grupit të deputetëve të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se e kanë të hapur mundësinë që seanca për presidenten të mbahet më 2 prill, por i duhet konfirmimi që procesi i zgjedhjes së saj do të jetë i suksesshëm.

“Ajo çka mund të them është se nga ana jonë janë bërë përgatitjet e duhura, porse ende nuk i kemi të gatshme të gjitha konfirmimet në mënyrë që të deklarojmë sot se nesër mund të thirret një seancë e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit. Në rrethana të tjera, gjithashtu, seanca e jashtëzakonshme ka probabilitet që të ndodhë, por duhen 40 nënshkrime, të caktohet ora edhe pse më tepër shanset janë që kjo të mund të ndodhë në fillimin e javës së ardhshme”, ka thënë Kusari-Lila.

Ajo nuk ka treguar se sa vota i kanë të sigurta deri më tani për kandidaten e VV-së për presidente. Duke mos përmendur me emra, Kusari ka bërë të ditur se janë në diskutime edhe me deputetë të grupeve të tjera parlamentare.

“Nuk mund të flas për siguri të votave për ata që nuk janë pjesë e GP të LVV-së, por mund të them se jemi në kontakte të vazhdueshme me deputetë dhe në momentin kur e ndiejmë që ka siguri për të hyrë në proces, do të hyjmë. Ky është një proces i cili nuk është përgjegjësi e një grupi parlamentar, edhe pse jemi shumica për arsye se mandatet janë individuale dhe mund të ketë deputetë që mund të reflektojnë pozicionet e tyre dhe me përgjegjësitë që i kanë marrë nga qytetarët”, ka thënë Kusari-Lila.

Detyrën e presidentit është duke e ushtruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Një gjë të tillë ai mundet ta bëjë deri më 5 maj, kur edhe përfundon afati prej gjashtë muajsh i ushtruesit të detyrës së presidentit. Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet “jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual”.

Megjithëkëtë, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, thotë se një afat i tillë nuk vlen edhe për ushtruesin e detyrës. Por, sipas tij, ushtruesi i detyrës së presidentit nuk mund ta ushtrojë as edhe një ditë më shumë këtë detyrë sesa që është e përcaktuar me Kushtetutë.

“Është për t`i dhënë afat presidentit të ri për të bërë pranim-dorëzimin, për t`u njoftuar, për të bashkëpunuar, për të marrë detyrën në mënyrë evolutive, të qetë, për të parë, për me u përgatit. Ajo vlen veç për president, afati njëmujor për t`u zgjedhur përpara se të përfundojë mandati vlen veç kur ka president të zgjedhur, jo ushtrues detyre”, ka thënë Hasani.

Ai më tutje shton se nëse afati prej 30 ditësh do të tejkalohej, nuk do të kishte ndonjë ndikim në mbarëvajtjen e punës së kreut të shtetit.

“Sanksion nuk ka, jo vetëm tash, por as edhe po të ishte zgjedhja e presidentit të shtyhet pas afatit pasi të ketë kaluar afatit njëmujor, sepse një shkelje e tillë është një shkelje e cila nuk e prish fizionominë e organeve, meqenëse presidenti aktual i ushtron funksionet deri në ditën e fundit”.

Kandidates së Vetëvendosjes për presidente i duhet përkrahja e 2/3 të deputetëve të Kuvendit, në mënyrë që të zgjidhet në këtë post. Nëse pro saj, në dy rundet e para të votimit nuk janë 80 deputetë, atëherë në rundin e tretë Osmani mund të zgjidhet presidente nëse për të votojnë 61 deputetë, me kushtin që në votim të marrin pjesë 80 deputetë. Deri më tani, ajo ka të konfirmuara votat e deputetëve të Vetëvendosjes dhe të atyre nga radhët e komuniteteve joserbe. Pjesëmarrja në votimin është premtuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por jo edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.