Vetëvendosje planifikon ndryshimin e procesit të votimit nga diaspora

Partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se ndër hapat e parë që do t’i ndërmarrë në Kuvend posa të formohen institucionet është është ndryshimi i ligjit për votimin e diasporës, njofton Insajderi.

Zëdhënësi i kësaj partie, Përparim Kryeziu ka deklaruar se me ndryshimin e ligjit mërgata do të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës.

VIDEO:

Sipas tij, numri i votave të pavlefshme nga diaspora është dëshmi se procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë.

“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues”.

“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të dielën se mbi 16 mijë zarfe nga diaspora janë pranuar, ku nga to, gjashtë mijë janë pranuar ndërsa 800 janë refuzuar./Insajderi.com