Vrasja e Jetmir Aliajt në kazino, Apeli ia vërteton dënimin me burgim të përjetshëm policit Shefki Spahiu

Gjykata e Apelit

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm për Shefki Spahiun për vrasjen e Jetmir Aliajt.

Apeli ka refuzuar ankesën e parashtruar nga mbrojtja e Shefki Spahiut për vrasjen e Jetmir Aliajt  më 17 marsit të vitit 2019 në një kazino në Suharekë duke vërtetuar dënimin me burg të përjetshëm.

VIDEO:

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

Shefki Spahiu më 24 shtator të vitit të kaluar ishte dënuar me burg të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Prizrenit, ku sipas aktakuzës Spahiu kishte qëndruar  në kazino, papritur duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e Jetmir Aliajt, në mënyrë dinake e kishte nxjerrë armën- pistoletën e markës “Glock” që ishte arma zyrtare, dhe të cilën e kishte të gatshme për shkrepje dhe nga një distancë 1 metër kishte shtënë një herë në pjesën ballore të kokës, duke shkaktuar vdekjen e viktimës.

Ndërsa sa i përket veprës penale ‘manipulim me prova’, i akuzuari Spahiu në fillim të gjykimit e kishte pranuar fajësinë.

Ndërsa, lidhur me akuzën e vrasjes, Spahiu kishte deklaruar se i ndjeri Jetmir Aliaj e kishte shërbyer me kafe, dhe ishtes fjalosur me të ndjerin.

“Kam humbur kontrollin dhe vetëdijen, isha i nervozuar dhe ndodhi vrasja, ajo që e pamë  në video”, kishte deklaruar i akuzuari Shefki Spahiu.

Vendimi i Gjykatës së Apelit tani mund të kontestohet në Gjykatën Supreme të Kosovës.