Vuçiq ankohet për “drejtësi selektive” në Hagë: Krimet ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar, Haradinaj, Oriq e Gotovina u liruan

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë pjesëmarrjes së tij në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ka thënë se Serbia do që qytetarët e vetë ta vuajnë dënimin në Serbi, transmeton Insajderi.

Lidhur me punën e Mekanizmit të Krimeve të Luftës për çka edhe u mbajt kjo seancë, Vuçiq tha se krimet ndaj serbëve nuk janë ndëshkuar, ku përmendi edhe ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

VIDEO:

“Krimet kundër serbëve nuk janë ndëshkuar. Haradinaj, Oriq dhe Gotovina nuk janë dënuar. Shumë krime në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë nuk janë hetuar”, është shprehur ai”, raporton ‘Kurir’.

Madje, derisa foli për Haradinajn, Vuçiq i quajti misterioze vendimet e shkallës së dytë, duke thënë se “të gjithë dëshmitarët kundër Haradinajt ose u vranë ose vranë veten”.

“Me gjithë këtë drejtësi selektive jemi kthyer nga e ardhmja. Kam një porosi për popullin tonë: Kokën lart, as Serbia e as serbët nuk janë gjykuar për asgjë”, shtoi Vuçiq.

Liderit të forcave ushtarake serbe në Bosnjë, Mladiqit, sot i është konfirmuar burgimi i përjetshëm për gjenocidin dhe krimet tjera të kryera në Bosnjë gjatë luftës 1992-1995. /Insajderi.com