Vuçiqi nuk distancohet nga projekti për “botën serbe”

Presidenti i Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka pranuar të distancohet nga ajo që ka thënë ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, në një takim partiak dy ditë më parë.

VIDEO:

Vulin tha se është përgjegjësi e gjeneratës së re serbe të punojë për një “botë serbe” në rajon, gjë që nxiti reagime në Kosovë, e sidomos në Bosnjë.

Bakir Izetbegoviq, kryetar i partisë SDA dhe ish-anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, kërkoi nga Vuçiqi të dënojë këtë frazë të Vulinit dhe të distancohet nga ajo.

Por Vuçiq sot tha se nuk është e drejtë e tij t’ua mbyllë gojën të tjerëve, teksa nisi me akuza e kritika për Bosnjën, që sipas tij, nuk po e respekton Marrëveshjen e Daytonit.

Në fakt, mediat e pavarura e përshkruajnë Vuçiqin si person që kontrollon gjithçka në Serbi dhe që ua mbyll gojën të gjithë atyre që dëshiron. Kështu, një ditë më parë ai para gazetarëve e qortoi ashpër drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, vetëm pasi deshi ta ndihmojë gjatë fjalimit.