VV reagon pasi një masë e madhe e votave të mërgates dalin të pavlefshme

Përparim Kryeziu

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu ka reaguar pas vendimit që disa vota të diasporës të shpallen të pavlefshme.

VIDEO:

Në një shkrim në Facebook, Kryeziu ka thënë se kjo është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet.

“E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj. Procesi i votimit duhet gjithmonë të jetë i lehtë dhe inkurajues.

Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional. Prandaj edhe ndërhyrja duhet të jetë e këtillë”, ka thënë ai.

Sipas zëdhënësit të LVV-së, ky subjekt do të procedojë në Kuvend që të bëhet ndryshimi i ligjit në mënyrë që mërgata të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja VETËVENDOSJE! do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës. Bashkatdhetarët janë qytetarë të Republikës. Ata janë pjesë e pandashme e zhvillimit të vendit dhe vendimmarrjes në vend”, tha ai.