Ymeri: PDK mund të dërgojë një kandidat për president që ta vë në mëdyshje grupin e LVV-së

Opinionisti Visar Ymeri, thotë se Partia Demokratike e Kosovës e ka mundësinë që të propozojë një kundër-kandidat për Vjosa Osmanin për postin e presidentit, meqë sipas tij, një gjë e tillë do t’i shkaktonte probleme Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Insajderi.

“PDK ka mundur që bashkë me LDK-në ta dërgojnë një kandidatë konsensual për president që do ta vinte në mëdyshje grupin e Vetëvendosjes”, ka thënë Ymeri në ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjinit.

VIDEO:

Ish-deputeti Ymeri shton se është evidente që Lidhja Demokratike e Kosovës ka frikë nga zgjedhjet prandaj ka vendosur t’ia bëjë kuorumin Vjosa Osmanit.

“Këtë frikë e ka me të drejtë. LDK po e lexon tash se si ndër faktorët kryesorë për rënien e saj është rrëzimi i Qeverisë”, është shprehur ai.

Ymeri thotë se nëse në ndonjë formë dështon zgjedhja e presidentit dhe shkohet në zgjedhje përgjegjësia do t’i takonte shumicës parlamentare.

“Nuk mund të ketë LDK përgjegjësi me 15 deputetë më shumë se LVV me 58 deputetë”. /Insajderi.com