Zëdhënësja e Kryeprokurorisë në Bullgari: Mister i madh, mungon një person nga aksidenti i autobusit

Zëdhënësja e kryeprokurorit në Bullgari, Siika Mileva, tha se është takuar me një nga të aksidentuarit që po trajtohet në spitalin “Pirogov” në Bullgari i cili ka treguar se si ka thyer xhamin e pasmë të autobusit që mori flakë në Sofje të martën, transmeton Insajderi.com.

Sipas saj, është “një mister i madh ku është një person tjetër”, pasi që në spital janë shtatë pacientë – katër burra dhe tri gra, e që duhet të jetë edhe një person, raporton Segabg.

 “Gjatë kontrollit janë gjetur 44 trupa. Nga kjo është matematika e thjeshtë. Sipas të dhënave kemi 52 pasagjerë. Në spital janë 7 – katër burra dhe tre gra, misteri i madh mbetet se ku është personi i tetë ” ,  tha Mileva.

VIDEO:

Ndërkaq, zëvendëskryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Sarafovm tha se deri më tash është raportuar për 45 të vdekur e shtatë të shpëtuar, gjë që nuk qëndron sepse janë vetëm 44 viktima.

“Janë gjetur 44 trupa të djegur. Të mbijetuar janë 8, kurse 7 prej tyre janë shtruar në spital për trajtim”, tha ai të enjten në konferencë për media, përcjell Alsat.

Autobusi, i regjistruar në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë nga flakët në një autostradë, në jugperëndim të Sofjes, mëngjesin e 23 nëntorit.

Hetimet për shkakun e zjarrit kanë nisur. Në mesin e viktimave janë gjithsej 12 fëmijë, përfshirë dy vëllezër binjakë nga 4 vjeç.

Shumica e udhëtarëve ishin shqiptarë që ktheheshin nga një udhëtim në Stamboll të Turqisë.

Maqedonia e Veriut ka shpallur tri ditë zie për viktimat. Ditë zie kanë shpallur edhe Kosova dhe Bullgaria./Insajderi.com