Zhelko Komshiq: Serbia nuk mund të bëhet ‘shefe’ e Ballkanit

<!–

–>

VIDEO:

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Zhelko Komshiq, ka kritikuar kancelaren gjermane Angela Merkel për vendet që zgjodhi të vizitojë në turin e saj në Ballkanin Perëndimor e po ashtu edhe për fjalët e zgjedhura për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai ka thënë se nuk e ka të qartë pse veproi kështu Merkel, teksa shton se mbështetja që i dha Vuçiç-it nuk është pozitive.

“Kancelarja gjermane zgjodhi një format të tillë takimi, nuk e di pse. Ajo shkoi te Vuçiçi për ta mbështetur edhe një herë, gjë që ne mendojmë se është gjë e keqe dhe dërgon sinjale të këqija, por kështu është. Si kompensim për atë takim, u caktua edhe një takim me kryeministrat e tjerë në Tiranë”, tha Komshiq para gazetarëve në Sarajevë.

Ai u shpreh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen njësoj, ndërkohë shton se Serbia nuk mund të bëhet shefe e Ballkanit.

“Prej një vendi si Gjermania dhe një personi serioz si Merkeli, ju prisni të jenë të informuar mirë. Nuk kam dyshim se institucioneve në Berlin u mungojnë disa informacione, pyetja e vetme është cili është qëllimi i kësaj politike. Nëse qëllimi është që Serbia të bëhet shefe rajonale, kjo nuk do të funksionojë. I thashë edhe Cristian Schmidtit (Përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnjë). Ne mund të jemi të barabartë dhe vetëm mbi atë bazë mund të flasim. Nuk ka më shefa në Ballkan”, tha Komshiq, raporton Ora News.