Zymer Bytyqi: Jam shumë i lumtur kur dëgjoj tifozët e Konyaspor të më drejtohen me “Zotëri Asist”

Anësori i majtë i klubit të Superligës Turke, Konyaspor, futbollisti kosovar Zymer Bytyqi tha se është i lumtur që është pjesë e klubit “bardhë e gjelbër”, njofton Insajderi.

Bytyqi i cili ishte i ftuari i parë i një programi të klubit që u publikua në kanalin YouTube, tha se ka shfrytëzuar mirë pushimin që kanë patur me rastin e ndeshjeve të kombëtareve.

VIDEO:

Ai tha se është shumë i lumtur se është në Konya. “Me siguri që qytetin Konya, njerëzit e saj dhe tifozët e Konyasporit i dua shumë. Gjithashtu falënderoj tifozët në emër të klubit për mbështetjen e dhënë. Nuk mungoi energjia e tyre pozitive. Shpresa dhe dëshira ime e vetme është të takohemi me tifozët sa më shpejt të jetë e mundur dhe të marrim mbështetjen e tyre drejtpërdrejt në ndeshje”, u shpreh ai.

Në lidhje me pyetjen rreth mendimit të tij për komentet e tifozëve që i atribuojnë atij si “Zotëri Asist”, futbollisti kosovar u përgjigj: “Jam falënderues që i dëgjoj këto. Isha shumë i lumtur kur e dëgjova këtë”. /Insajderi.com